Dhimbja e kokës, diagnostikimi dhe mjekimi

Në dhimbjen e kokës ndikon ndryshimi i nivelit hormonal. Ndërkohë, diagnostikimi dhe mjekimi i dhimbjes së kokës është i domosdoshëm.

Kështu u shpreh mjekja neurologe në QSUT, Dr. Shk. Mira Rakacolli, e cila shpjegoi me detaje këto procese.

Ndikojnë hormonet në shfaqjen e dhimbjes së kokës?

Po. Ndryshimet në nivelin hormonal në disa gra shoqërohet me shtim të dhimbjes së kokës. Tek disa grave krizat migrenoze fillojnë menjëherë para, gjatë apo para ciklit menstrual. Po kështu dhimbjet e kokës shfaqen vetëm në periudhën e ovulacionit. Ndryshimet kimike në nivelin hormonal që ndodhin në organizëm gjatë marrjes së disa medikamenteve, si p.sh., kontraceptivëve mund ta shpërthejnë dhimbjen e kokës tek disa gra.
Si vendoset diagnoza?
Diagnoza e dhimbjes së kokës duhet të vihet nga mjeku specialist i dhimbjes së kokës, ndërsa mjekimi dhe ndjekja mund të bëhet nga mjeku i familjes. Mjeku specialist e vë diagnozën duke u bazuar në historinë e sëmundjes, ekzaminimin objektiv neurologjik e ekzaminimit që sheh të arsyeshme. Është mjaft e rëndësishme që për të vendosur një diagnozë të saktë mbi dhimbjen e kokës duhet të bëhet plani i trajtimit të sëmundjes, që mund ta bëjë vetëm mjeku specialist neurolog që merret me dhimbjet e kokës.
Kjo, megjithëse të gjithë kanë dhimbje, është e ndryshme në njerëz të ndryshëm, pasi ndryshimi mund të jetë në shpeshtësi, intensitet apo kohëzgjatje. Disa mund të kenë dhimbje të lehta, ose mesatare, një apo disa herë në muaj, të cilat nuk ulin rendimentin e punës, por interferojnë me aktivitetin social.
Prandaj, është shumë e rëndësishme të përcaktohet një plan individual sipas kërkesave të gjithsecilit. Nga ana tjetër, duhet marrë mirë parasysh ekzistenca e sëmundjeve të tjera bashkëshoqëruese si p.sh: sëmundjet e zemrës, depresioni, ankthi dhe çrregullimet konvulsive.
Si trajtohet dhimbja e kokës?
Trajtimi ka dy qëllime: mjekimin e krizës dhe parandalimin e saj.
Mjekimi i krizës apo trajtimi akut i dhimbjes së kokës presupozon përdorimin e medikamenteve të ndryshme që në shenjat e para të fillimit të dhimbjes.
Është shumë e rëndësishme të sqarohet pacienti që mjekimi të merret që në shenjat e para të fillimit të krizës, pa pritur që të nisi tamam. Medikamente që përdoren në këtë rast janë të shumtë, kjo do të thotë se nuk ka një vetëm që t’i bëjë efekt të gjithë pacientëve.
Atyre ju rekomandohen disa e zgjidhet ai më efikasi.
Kur pacienti ka më tepër se dy kriza në muaj, atëherë rekomandohet marrja e mjekimit të përditshëm parandalues. Edhe këto mjekime janë të ndryshme. Pacienti instruktohet të mbajë një ditar kur të shënojë ditën e krizës, orën e fillimit, atë të përfundimit, faktorët shpërthyes, e medikamentin e përdorur. Kur rezultojnë të efektshëm, duhen përdorur nga tre deri në gjashtë muaj.
Vazhdimi apo ndërprerja është mirë të bëhet sipas mendimit të mjekut specialist. Preparatet më të përdorshme për parandalim janë: betabllokuesit, antikonvulnatët, antidepresivët triciklikë, kalciumantagonistëtë, serotoninergjikët, ergotaminat, methisergidi, aniiflamatorët josteroidë.
Në disa raste kur me gjithë përdorimin në kohë të preparateve qetësues të krizës, ajo nuk dominohet, atëherë mund të përdoren opiate, barbiturate, steroidë, fenotiaznia, por këto duhen aplikuar në strukturat e ndihmës mjekësore, duke evituar aplikimet në shtëpi. Përveç mjekimit medikamentoz është mjaft e rëndësishme të mbahet një regjim i rregullt ushqimor, ku të evitohen ushqimet që është vënë re se shpërthejnë krizën, të respektohen të gjitha vaktet e të vendoset një regjim i rregullt gjumi. Po kështu aktiviteti fizik, kontrolli i stresit kombinimi i mirë punë-pushim ndihmojnë në kontrollin e dhimbjes së kokës.
Përhapja e dhimbjes së kokës
Dhimbja e kokës është ankesa më e shpeshtë në të sëmurët që paraqiten në strukturat e shërbimit parësor. Në mbi 80
% të rasteve është primare, në kuadrin e këtyre dhimbjeve primare, dhimbja e kokës tensive është ajo që është më e përhapura, dhe më pas vjen migrena.
Grupmosha më e prekur është ajo 15-60 vjeç, por ndryshe nga mendimi i përgjithshëm që ekziston në popullatë, dhimbjet e kokës parësore takohen edhe në fëmijë që nga mosha 2-3 vjeç, si edhe te popullsia e moshës së tretë. Nga dhimbja e kokës tensive vuajnë në mënyrë të barabartë meshkujt dhe femrat, ndërsa nga migrena deri në pubertet përqindja e meshkujve është e barabartë me atë të femrave, pas kësaj periudhe raporti përmbyset 3:1 në favor të femrave.
Rreth 18 % e femrave vuajnë me migrenë. Nga migrena vuajnë më shumë fëmijët, prindërit e të cilëve janë migrenozë. Për një lloj të caktuar migrene (ka disa lloje migrenash) është gjetur edhe geni përgjegjës. Prandaj, kërkimi në historinë familjare është element me rëndësi kur gjykohet për një dhimbje koke. Disa lloj dhimbjeje koke mund të shpërthejnë në disa situata të caktuara që kanë lidhje me ambientin, gjendjen emocionale, faktorë dietetikë etj./shekulli/