Gurët në veshka, mjekimi dhe parandalimi

Shkaktarët e gurëve në veshka, shenjat e sëmundjes dhe diagnostikimi ishin disa nga shpjegimet që u bënë dje në gazetë në lidhje me sëmundjen.

Sot, Prof. Dok. Myftar Barbullushi, mjek Nefrolog në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, do të shpjegojë mënyrën e mjekimit të sëmundjes dhe parandalimin.

Profesor mund të na thoni se si bëhet mjekimi i gurëve në veshka?

Gjatë 15 viteve të fundit, mjekimi i gurëve në veshka dhe në rrugët urinare ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore. Medikamentet e reja, si dhe përdorimi i aparatit të thyerjes së gurëve kanë bërë që ditëve të “përdorimit të thikës” në mjekimin e gurëve në veshkat t’u vijë fundi.

Gjithsesi, cilido qoftë përparimi i metodave të heqjes së gurëve, zbulimi i shkaqeve të formimit të gurëve dhe parandalimi i formimit të tyre përbëjnë mjekimin më të mirë të gurëve në veshka, pra të ardhmen.

Po sa i takon mjekimit me dietë dhe barna?

Gurët nën 7 mm kanë shumë mundësi të dalin nëpërmjet pirjes së një sasie të konsiderueshme të lëngjeve (2,5-3 litra në 24 orë), si dhe përdorimit të barnave që zgjerojnë kanalet urinare apo ulin aciditetin e urinës duke mos i dhënë mundësi kristaleve të qëndrojnë të bashkuara në trajtën e gurëve. Ky dimension nuk është i rastësishëm, pasi mendohet se kanali urinar është i gjerë rreth 6-8 mm.

Shpesh i sëmuri pyet: Çfarë lëngjesh të pi e çfarë të mos pi ? Ujë i zakonshëm, lëngje popullore dhe me preferencë do të sugjeroja 1 litër e gjysmë ujë ku të jenë tretur 2 limona çdo ditë. Mos preferoni ujin me gaz, koka-kola, fanta e lëngje të tjera industriale.

Të ha çdo gjë, apo të kufizoj ushqimet me kripë? A duhet të kufizoj ushqimet që përmbajnë Kalcium?

Është një tjetër pyetje e shpeshtë e të sëmurëve me gurë në veshka. Natyrisht, sa më e madhe sasia e kripës në ushqim aq më e madhe është tendenca për të formuar gurë. Pra, është shumë e rëndësishme të pakësohet kripa në ushqim.

Kufizimi i kalciumit, i rekomanduar fatkeqësisht nga shumica e mjekëve, do të ishte një gabim fatal, sidomos për fëmijët dhe gratë. Moszhvillimi i mirë i kockave të fëmijës dhe fraktura të tyre në menopauze tek gratë janë pasoja të vëna re në të sëmurët që kanë kufizuar kalciumin në dietë. Natyrisht, kjo nuk do të thotë të abuzojmë me dietën me kalcium.

Ushqimet me predominim të zarzavateve dhe frutave, të freskëta të sezonit dhe jo ato të thata (sidomos arrat, bajamet dhe lajthitë), shoqëruar me shumë lëngje janë të shkëlqyera për të sëmurin me gurë në veshka. I vetmi nga agrumet që kufizohet është qitro, e cila përmban shumë oxalate. Kafeja, deri vonë e kufizuar, vitet e fundit ka marrë “lirinë” prej 2 studimeve të mëdha mbi dietën në të sëmurët me gurë në veshka.

Po kështu edhe alkooli nuk konsiderohet ushqim për t’u kufizuar për sa i përket gurëve në veshka. Gjithsesi, kaloritë e alkoolit mund të shkaktojnë mbipeshë dhe kjo e fundit thamë që shoqërohet me rritje të shpeshtësisë së gurëve në veshka.

Uralyt, Renalof, Grodurex dhe Allopurinoli janë medikamentet më të përdorshme në eliminimin shkrirjen dhe parandalimin e gurëve në veshka dhe në rrugët urinare. Mënyra e përdorimit, koha dhe dozat e tyre përdoren ekskluzivisht nga mjeku.

Një gjë është e sigurt që përdorimi i tyre ka bërë një revolucion në shkrirjen dhe parandalimin e gurëve në veshka. Është kjo arsyeja që në vendet perëndimore këto medikamente janë ndër më të përdorurat.

Litotripti – aparati i thërrmimit të gurëve

Litotripti, apo siç quhet ndryshe aparati i thërrmimit të gurëve, përbën metodën më të preferuar në gurët që janë më të mëdhenj se 8 mm.

Kjo metodë arrin të ketë sukses deri në 90-95% të gurëve, pasi rreth 5-10% të tyre janë të pashkrishëm. Në këtë rast të sëmurit i rekomandohet operacioni.

Si bëhet parandalimi i formimit të gurëve në veshka?

Mjekimi ideal i gurëve në veshka është parandalimi i tyre. Nëse një pacient nxjerr një gurë, brenda vitit ai ka 20% shanse të formojë gurin tjetër. Për 5 vjet rreth 80% e tyre kanë riformuar përsëri gurë. Për këtë arsye është e rëndësishme të gjykohen shkaqet e formimit të gurëve dhe përmbajtja e gurëve. 70-80% e tyre kanë përmbajtje oxalate dhe fosfati kalciumi, 10% acidi uric dhe 1-2% cistinë.

Pjesa tjetër janë karbonatet. Nëse pacienti ka një gurë që e ka nxjerrë më parë, analiza e përmbajtjes së tij do të ishte ideale. Kontrolli i të gjitha kripërave në gjak (Kalcium, Fosfor, Magnezium, Kalium, Acid uric) dhe në urinë është i domosdoshëm. Po ashtu, gjykimi i gjëndrave paratiroide dhe i kockës mbeten të rëndësishëm. Në bazë të rezultateve të mësipërme, mjeku zgjedh barnat dhe dietën e duhur. Por, natyrisht, më i rëndësishëm nga të gjithë është përdorimi me shumicë i lëngjeve.

Dieta me lëngje, mbi 2-3 litra në ditë, është e konfirmuar nga shumë studime shumë e rëndësishme për parandalimin e formimit të gurëve. Sa më shumë lëngje, aq më pak gurë dhe aq më pak sëmundje të veshkave. Kuriozitet, fotomodelet pinë 5- litra ujë në ditët për të pasur trup elegant dhe të shëndetshëm. Një gotë ujë apo lëng në mëngjes herët para ushqimit konsiderohet investim për një trup të bukur.
/shekulli/

  • shqipja

    pershendejte dua te pyes dr.Myftarin ka 2 vite qe kam pas gure ne veshka dhe ate kam shkuar ne spital dhe e kam ba thyerjen e tij, por tash koh pas kohe kam dhimbje te shpines dhe po ate vend ku kam pas gurin me dhemb dhe kemba me mpihet shum a ndodh qe kam prap gure apo vetem ndikon ne ndryshim kohe – Ju faemnderit