Hepatitet kronike

Viruset e hepatiteve A, B dhe C janë shumë të përhapur në të gjithë botën, duke përbërë një nga infeksionet më të shpeshta e të zakonshme.

Pellgu mesdhetar është rajon ku kjo përhapje është më e shprehur sesa në rajonet e tjera evropiane. Hepatiti A transmetohet në rrugë fekal-orale, ndërsa hepatitet B dhe C me rrugë parenterale (d.m.th. nëpërmjet gjakut ose sekrecioneve të ndryshme të organizmit).

Këto viruse, kur futen në organizëm, shkaktojnë atë gjendje që quhet hepatit akut (ose verdhëza, siç quhet në popull, meqenëse njeriu zverdhet nga rritja e bilirubinës në gjak). Sot dihet mirë që vetëm 10% e atyre që kalojnë hepatitin viral akut, kanë shenja klinike (zverdhja është më e rëndësishmja se vihet lehtësisht në dukje).

Hepatiti A

Është llogaritur që pjesa më e madhe e popullsisë së botës e kalon gjatë jetës infeksionin nga virusi A.

Nga studimet që vazhdimisht janë kryer nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Shërbimi i Sëmundjeve Ngjitëse, QSUT “Nënë Tereza” dhe të botuara në shtypin mjekësor shqiptar e të huaj rezulton se rreth 97-98% kanë në gjakun e tyre anti-HAV IgG, gjë që do të thotë se kjo popullsi e ka kaluar infeksionin nga ky virus gjatë jetës.

Hepatiti A është sëmundje që zakonisht njeriu e kalon në moshën fëminore. Tek ne, deri në moshën 20 vjeç e kalojnë rreth 97% e popullsisë, gjë që ne e vërtetojmë me praninë në gjak të anti-HAV IgG. Në vendet evropiane këta antitrupa gjenden në 40-75% të popullsisë.

Hepatiti A nuk kronicizohet dhe shumë rrallë shkakton forma të rënda klinike. Sot është prodhuar vaksina kundër këtij virusi dhe popullsia mund të vaksinohet që në moshën fëminore për të qenë e mbrojtur për të gjithë jetën. Edhe tek ne ka përpjekje serioze për ta futur këtë vaksinë në kalendarin e vaksinave të fëmijëve.

Hepatiti B

Virusi B është problem për të gjithë botën, 1/3 e saj e kalon këtë infeksion dhe vazhdimisht bëhen kërkime, organizohen konferenca e kongrese (edhe tek ne) për njohjen e hershme, diagnostikimin dhe mjekimin e rasteve që paraqesin sëmundje kronike. Edhe për këtë virus ka vaksinë të efektshme. Tek ne vaksinimi kundër virusit B ka filluar që në vitin 1994 dhe sot të gjithë të porsalindurit, në çdo skaj të vendit, e bëjnë dozën e parë të vaksinës kundër këtij virusi që në ditën e parë të lindjes.

Studimet epidemilogjike në popullsi bëhen duke u bazuar në vlerësimin e dy markuesve serikë: anti-HBcIgG dhe HBsAg. Ky i fundit lexohet: antigjeni sipërfaqësor i hepatitit viral të tipit B. N.q.s. HBsAg është pozitiv (në këtë rast edhe anti-HBcIgG është pozitiv), virusi B është i pranishëm në organizëm dhe ai organizëm quhet i infektuar me virusin B.

Por, të thuash që virusi B është i pranishëm në organizëm, nuk do të thotë aspak që njeriu është i sëmurë nga hepatiti B (apo pasojat e tij). Detyra e mjekëve që merren me këtë punë, është të gjejnë lidhjen midis pranisë së virusit B dhe eventualisht dëmtimeve në mëlçi nga ky virus (që gjenden me metoda të tjera laboratorike dhe histologjike). Individët me HBsAg pozitiv dhe gjendje funksionale e biokimike normale të mëlçisë quhen mbartës të virusit B. Në Shqipëri, bazuar në studimet e fundit, shifra e bartshmërisë së virusit B në popullsi është 6-9%.

Këta individë, si rregull, duhet të bëjnë periodikisht ekzaminime biokimike e virologjike për të ndjekur situatën virale B dhe gjendjen funksionale të mëlçisë. Ata mund ta transmetojnë këtë virus te të tjerët nëpërmjet gjakut apo lëngjeve të organizmit. Këto shifra janë diçka më shumë se fqinjët tanë e kjo kërkon masa të përgjithshme më të mëdha nga shëndetësia shqiptare për të edukuar popullsinë rreth rrugëve të transmetimit të virusit në mënyrë që ajo të mbrohet.

Problemin më kryesor e përbën ai grup popullsie tek të cilët virusi B ka dhënë dëmtime në formën e hepatopative kronike (d.m.th. kur prania e virusit në organizëm shoqërohet me dëmtime të qelizave të mëlçisë, shkatërrim të tyre e zëvendësim me ind fibroz, gjë e cila çon dalëngadalë në pakësimin e funksioneve jetësore të organit dhe shfaqjen e ndërlikimeve të shumta e të rrezikshme për jetën).

Ky grup të sëmurësh duhet të diagnostikohet dhe të mjekohet në kohë. Sëmundjet kronike të mëlçisë kanë pak shenja klinike e si rregull nuk kanë dhimbje. Mungesa e dhimbjes (shenjë e rëndësishme për shumë lloj sëmundjesh) bën që të sëmurët të diagnostikohen vonë, prandaj lipset kontrolli periodik i popullsisë (d.m.th. kryerja periodike e një sërë analizave biokimike) për t’i kapur ato sa më shpejt që të jetë e mundur.

Është vërtetuar, po ashtu, se sa më shpejt të kapet një sëmundje në organizmin e njeriut, aq më e madhe është mundësia për ta mjekuar me sukses atë. Sot, në vendin tonë kryhen ekzaminime, jo vetëm për të gjetur praninë e virusit B në organizëm, por edhe për të përcaktuar llojin dhe ngarkesën virale të tij, të domosdoshme për të bërë një diagnozë të saktë dhe për të ndjekur ashtu siç duhet ecurinë e mjekimit. Virusi B është virus, i cili kur nuk eliminohet nga sistemi imun i organizmit, çrrënjoset me vështirësi e mjekimet e sotme ndikojnë pak në këtë drejtim.

Por, nga ana tjetër, këto mjekime, kur përdoren ashtu siç duhet, e mbajnë të frenuar atë. Vitet e fundit është bërë një hap i madh cilësor në zbulimin e një sërë medikamentesh të efektshme për mjekimin e dëmtimeve kronike B. Në këtë grup bëjnë pjesë medikamente të tilla si Interferoni i pegiluar alfa, Tenofoviri (Viread), Entekaviri (Baraclude), Adefoviri (Hepsera) etj.

Një pjesë e këtyre mjekimeve gjenden edhe në vendin tonë dhe një sërë të sëmurësh, në bazë të skemave të përcaktuara qartë ndiqen nga shërbimi Hepatologji-Gastroenterologji dhe mjekët hepatologë-gastroenterologë të të gjithë vendit. Është detyra jonë që të ndikojmë te organet vendimmarrëse që këto barna (ashtu si në shumicën e vendeve evropiane) të futen në listën e barnave të rimbursuara, sepse realisht janë medikamente të shtrenjta.

Prandaj, për të mos arritur në dëmtime kronike, grupe të veçanta që paraqesin rrezik më të madh infeksioni (ata që jetojnë në kolektiva, personeli mjekësor, të sëmurë që kanë nevojë të mjekohen me gjak dhe nënprodukte të tij, partnerët seksualë të të infektuarve, etj., etj.) e madje e gjithë popullsia rekomandohet të vaksinohet kundër virusit B, gjë që është vërtetuar se përbën metodën më të rëndësishme të mbrojtjes kundër tij.

Një grup të veçantë përbëjnë edhe të sëmurët me mbiinfeksion D, i cili është një virus që bashkëjeton me virusin B, e mbrojtja kundër virusit B siguron mbrojtjen edhe ndaj virusit D.

Hepatiti C

Hepatiti C është sëmundje e përhapur në të gjithë botën dhe një nga problemet më të mëdha të mjekësisë së sotme. Zbulimi i virusit të hepatitit C është bërë më 1989 e që nga ajo kohë e deri më sot ky hepatit ka përbërë e përbën një nga problemet më të mëdha të hepatologjisë së sotme, saqë nuk ka simpozium, konferencë a kongres kombëtar e ndërkombëtar ku problemi kryesor këtë dekadën e fundit të mos jetë hepatiti C dhe ndërlikimet e lidhura me të, si cirroza hepatike me të gjitha ndërlikimet e saj e veçanërisht hepatokarcinoma. Për këtë të fundit, në të gjithë botën sot pranohet se shkaktari kryesor është cirroza C dhe virusi vetë. Deri tani për mbrojtjen nga virusi C, nuk ekziston vaksinë e efektshme.

Llogaritet që 3% e popullsisë botërore kanë në gjakun e tyre antitrupëza anti-C (mbi 150 milion mbartës në botë). Kronicizimi është i shprehur. Më shumë se 50% e të infektuarve bëjnë hepatopati kronike C gjatë jetës së tyre.

Ekziston një shumëllojshmëri gjenetike në viruset C të izoluar deri më sot. Janë izoluar 9 gjenotipe, të cilët shënohen me numra arabë (p.sh. HCV-1, HCV-2, HCV-3, etj), çdonjëri prej të cilëve mund të ndahet në nëntipe, që shënohen me gërmat e vogla të alfabetit (HCV-1a, HCV-1b, HCV-1c, etj).

Virusi i hepatitit C është një agjent që transmetohet nëpërmjet gjakut dhe me rrugë parenterale. Para zbulimit të tij, transmetimi nëpërmjet gjakut ishte mënyra e zakonshme e transmetimit të hepatitit C. Depistimi sistematik i antitrupëzave anti-HCV në dhuruesit e gjakut e ka pakësuar shumë rrezikun e hepatitit C post-transfuzional, por infeksioni vazhdon të transmetohet me rrugë të tjera parenterale të dukshme apo të padukshme. Pra, në përhapjen e tij një rol të rëndësishëm luajnë edhe veprimet direkte ose indirekte mjekësore.

Prevalenca e infeksionit kronik C është mjaft e rritur në disa grupe në rrezik, si tek përdoruesit e drogave intravenoze, hemofilikët dhe të politransfuzuarit te të cilët mund të arrijë 70-80%. Infeksioni nga HCV shkon shpesh drejt kronicizimit për shkak të kapacitetit të virusit për të shkaktuar infeksion persistent duke dëmtuar sistemin imunitar.

Diagnoza bazohet në zbulimin në serum të antitrupëzave të drejtuara kundër virusit ( anti-HCV) dhe të sekuencave të gjenomës virale (HCV RNA).

HCV shkakton dëmtime hepatoqelizore akute e kronike me intensitet dhe ecuri të ndryshme. Veç mëlçisë, mund të infektohen qeliza dhe inde të ndryshme duke shfaqur një gamë të madhe dukurish ekstra-hepatike, veçanërisht anomali imunologjike, fenomene dhe sëmundje auto-imune si krioglobulinemi, vaskulite dhe sëmundje të tjera me komplekse imune.

Është vërtetuar që vetëm pak të sëmurë e eliminojnë virusin C në mënyrë përfundimtare. Shumica përfundojnë në infeksion kronik C. Infeksioni kronik C përkufizohet si infeksion prej më shumë se 6 muajsh me ose pa manifestime klinike hepatike dhe ekstra-hepatike.

Format aktive të hepatitit kronik C karakterizohen me luhatje të nivelit të SGPT dhe dëmtime histologjike që shkojnë nga inflamacioni minimal deri në inflamacionin e rëndë dhe në fibrozë. Progresimi drejt cirrozës është i ngadalshëm dhe i paparashikueshëm, dhe mund t’i çojë të sëmurët në vdekje për shkak të ndërlikimeve të hipertensionit portal, insuficiencës hepatike dhe karcinomës hepatoqelizore. Ecuria e hepatitit C mund të përshpejtohet nga disa bashkëfaktorë etiologjikë, si bashkinfeksioni B dhe konsumimi i shtuar i alkoolit.

Në Institutin e Shëndetit Publik janë bërë studime të shumta në popullsi dhe në të sëmurë me hepatopati kronike, e sipas tyre gjetja e anti-HCV në popullsinë e shëndoshë është rreth 1%.

Në shërbimin e Hepatologji-Gastroenterologjisë, QSU “Nënë Tereza”, Tiranë, rastet me hepatopati kronike C (hepatite kronike aktive, cirroza e hepatokarcinoma) po zbulohen gjithnjë e më shumë në sajë të njohjes më të mirë të situatës, mjeteve diagnostike më të sigurta për diagnozën serologjike dhe faktit të rëndësishëm që sot ekzistojnë mundësitë e mjekimit ndaj ia vlen që mjekët të këmbëngulin shumë nga pikëpamja etiologjike e hepatopatisë kronike të të sëmurit. Rastet e diagnostikuara sot në botë, ashtu edhe në vendin tonë janë kryesisht pasojë e marrjeve post-transfuzionale para zbulimit të virusit dhe rrugëve të shumta të transmetimit parenteral të tij. Rastet sporadike zënë më pak se 25%.

Të gjithë autorët pranojnë se rastet me hepatit C janë në rritje në të gjithë botën.

Konferencat dhe kongreset konsensuale të zhvilluara vitet e fundit në botë kanë miratuar përfundimisht se mjekimi standard e i vetëm i efektshëm për hepatitin kronik C është bashkëshoqërimi i Interferonit të pegiluar me ribavirinën përgjatë gjithë kohës së mjekimit.

Rezultatet e veprimit të këtij bashkëshoqërimi janë të shkëlqyera. Studimet e kryera në klinikat më në zë të botës kanë vërtetuar se shërimi biokimik, histologjik dhe serologjik arrihet në 50-60% të të sëmurëve. Madje ka edhe tipa të virusit C (2 dhe 3) ku ky shërim arrihet në 80-85% të rasteve. Kohët e fundit, kësaj skeme mjekimi i shtohet edhe një preparat i tretë (Telaprevir), që e ka rritur ndjeshëm përgjigjen ndaj mjekimit.

E rëndësishme është të theksohet se mjekimi me preparatet e sipërpërmendur i ndërpret rrugën jo vetëm shfaqjes së cirrozës hepatike, por vepron si parandalues për shfaqjen e hepatokarcinomës (edhe në rastet që konsiderohen si dështime terapeutike, shfaqja e hepatokarcinomës është më e pakët se sa në rastet që nuk mjekohen).

Për arsyet e sipërtreguara futja gjerësisht dhe rimbursimi i kësaj skeme mjekimi (Interferon i pegiluar dhe ribavirinë) është domosdoshmëri e kohës dhe mjekimi i vetëm i efektshëm për këta të sëmurë.

Leave a Reply