Infeksionet që rrezikojnë veshkat e fëmijëve

Sëmundja e veshkave tek fëmijët shpesh vjen nga infeksionet e ndryshme, me natyrë bakteriale apo virale.

Mjekja nefropediatre, Elveta Tomorri, shpjegon se cilat janë “sinjalet” e sëmundjes ndaj të cilave duhet të tregohen të vëmendshëm dhe si mund të parandalohen këto probleme.

Doktoreshë si ndikojnë infeksionet bakteriale në shfaqjen e sëmundjeve të veshkave të fëmijët?
Është e vërtetë që infeksione të ndryshme, me natyrë bakteriale apo virale, që prekin fëmijët, jo rrallë bëhen shkak për shfaqjen e sëmundjeve të veshkave. Prandaj prindërit me të drejtë shqetësohen kur fëmija sëmuret shpesh nga infeksioni i bajameve dhe pyesin se nëse do të ketë probleme me veshkat.

Një nga bakteriet që prek më shpesh këtë grupmoshë, që shkakton infeksionin e fytit, të veshit dhe sinuseve, është streptokoku beta-hemolitik i grupit A, i cili është përgjegjës dhe për sëmundjen e veshkave, të quajtur Glomerulonefrit akut. Ky bakter vepron me anë të një antigeni, i cili provokon në organizëm duke krijuar kundërtrupa dhe komplekse antigen-antitrup të formuara, të cilat vendosen në membranën bazale të glomerulit (strukturë ku realizohet filtrimi i gjakut) duke e dëmtuar atë.

Sa problematike është situata?
Vitet e fundit shpeshtësia e kësaj sëmundjeje ka rënë. Në Europën Perëndimore dhe SHBA tani konsiderohet e rrallë dhe me tepërt njihet si sëmundje problematike për vendet në zhvillim. Duket se faktorët e ushqyerjes së shëndetshme të mënyrës së jetësës dhe përdorimi më i liberalizuar i antibiotikë kanë ndikuar në uljen e shpeshtësisë së sëmundjes.

Gjithashtu studiuesit të fushës përkatëse konstatojnë se ka dhe rënie të agresivitetit të bakterit. Me kënaqësi konstatojmë se edhe në vendin tonë, Glomerulonefriti akut post-streptokoksik të paktën në formën e tij klasike, po e ndeshim disi më rrallë. Megjithatë ka ende mjaft raste kur sëmundja shfaqet në forma të lehta, pa shenja të qarta, që shpesh kalojnë pa u diagnostikuar në kohë.

Format e lehta të sëmundjes trajtohen ambulatorisht. Në këto raste është e rëndësishme të ndiqen me rigorozitet këshillat e mjekut në lidhje me dietën dhe rregjimin e të sëmurit dhe të bëhet kontrolli i vazhdueshëm mjekësor. Është konstatuar se edhe në format e lehta të sëmundjes, prania e rruazave të kuqe të gjakut në urinë vazhdon rreth një vit pas shfaqjes së sëmundjes, disa herë dhe më tepër.

Cilët fëmijë janë më të rrezikuar nga sëmundja?

Më të predispozuar janë fëmijët me sistem imunitar të dobët dhe që sëmuren shpesh nga infeksionet streptokoksike.

Vetëm këto lloj infeksionesh janë të rrezikshme për veshkat?

Jo. Përveç infeksioneve streptokoksike të përmendura, që ndoshta janë edhe më të njohura, infeksionet e lëkurës, të shkaktuara po nga streptokoku si dhe nga stafilokoku, infeksionet e frymëmarrjes, abscese dentare, infeksionet e zorrëve dhe të rrugëve urinare të shkaktuara nga Esheria Koli, infeksionet e kockave e veçanërisht gjëndrat septike (kur shkaktari infeksion gjendet në gjak) rrezikojnë veshkat.

Gjithmonë e më tepër marrin rëndësi infeksionet virusale, jo vetëm për problemet akute, por edhe për pasojat e mëvonshme. Mbas infeksioneve virusale të rrugëve të frymëmarrjes etj, si dhe mbas infeksioneve shumë të njohura tek fëmijët si variçela, parotiti e fruthi, mund të të shfaqen sëmundje të veshkave, nganjëherë edhe të rënda e me pasoja për të ardhmen.

Shënim: Nesër do të lexoni për këshillat për parandalimin e sëmundjes, shenjat e sëmundjes dhe reakomandime për parandalimin e sëmundjes.

Infeksionet
Gjithmonë e më tepër marrin rëndësi infeksionet virusale, jo vetëm për problemet akute, por edhe për pasojat e mëvonshme. Mbas infeksioneve virusale të rrugëve të frymëmarrjes etj, si dhe mbas infeksioneve shumë të njohura tek fëmijët si variçela, parotiti e fruthi, mund të të shfaqen sëmundje të veshkave, nganjëherë edhe të rënda e me pasoja për të ardhmen.

Diagnostikimi
ka ende mjaft raste kur sëmundja shfaqet në forma të lehta, pa shenja të qarta, që shpesh kalojnë pa u diagnostikuar në kohë. Format e lehta të sëmundjes trajtohen ambulatorisht. Në këto raste është e rëndësishme të ndiqen me rigorozitet këshillat e mjekut në lidhje me dietën dhe rregjimin e të sëmurit dhe të bëhet kontrolli i vazhdueshëm mjekësor./shekulli/

1 Comment

  1. marjola isufi says:

    vajza ime 20 muajshe ka infeksion esheria cole pasi bera nje kure gjilpera nuk ka fare permiresim me jepni nje mendim

Leave a Reply