Ja disa karakteristika të bukurisë femërore

Janë disa karakteristika të bukurisë femërore, për të cilat jo gjithmonë është e lehtë të flasësh. As mikeshave më të ngushta nuk mund t’ua hapësh zemrën për të tilla gjëra.

Bëhet fjalë për aromën e rëndë të trupit, ngjyrën e dhëmbëve, që fatkeqësisht nuk është e bardhë, apo djersitjen e tepruar. Ndonjëherë këto gjëra bëhen aq shqetësuese për disa vajza saqë pyesin veten nëse u ndodh kështu edhe të tjerave.

Kam vetulla të bashkuara dhe mustaqe

Vetullat tuaja janë të ngjitura me njëra-tjetrën? Keni mustaqe dhe qime në mjekër? Ndonjëherë mund të jetë faji juaj, sepse i ngacmoni, por në pjesën më të madhe të rasteve kjo gjë është gjenetike. Nuk ka asgjë anormale. Zgjidhja më e mirë do të ishte “të armatoseshit” deri në dhëmbë me piskatore, dyllë ose krem depilator.

Në supermarkete të ndryshme mund të gjeni ngjitës dylli posaçërisht për pjesët delikate të trupit, për shembull siç është fytyra. Gjithashtu mund t’ia besoni veten duarve të një estetisteje eksperte. Kini kujdes, lyerja e qimeve me ujë të oksigjenuar nuk është aspak e këshillueshme, sepse vërtet i ngjyros me të verdhë ato, por nuk i bën të padukshme. Femrat që nuk i durojnë dot dhimbjet e depilimit, mund t’i drejtohen lazerit.

Nuk më pëlqejnë aspak kofshët e mia

Ëndrra e çdo vajze është të ketë kofshë të tonifikuara dhe të lëmuara si të reklamave të kremrave kozmetikë. Por duhet të dini diçka: të dashura vajza, në natyrë kofshë të tilla nuk ekzistojnë, ose është shumë e vështirë t’i gjesh.

Asnjëra nuk do të dëshironte të kishte kofshë të trasha e të mbuluara nga celuliti. Për fat të keq ky është fati i shumë prej tyre. Këtë që sapo thamë më lart nuk duhet ta merrni si një ftesë për ta lënë veten pas dore. Një dietë e fortë, shumë ushtrime fizike, masazhe dhe kremra me kafeinë ndihmojnë në zhdukjen e lëkurës së urryer të portokallit. Vajzat që kanë mundësi financiare, mund t’u nënshtrohen trajtimeve shtesë.

Kanë filluar të më dalin thinjat

Çdo njeri ka frikë nga plakja dhe shenjat e para të ardhjes së saj e tregojnë thinjat. Nëse jeni nën moshën 40-vjeçare dhe ju është zbardhur koka nga thinjat, kjo nuk do të thotë që jeni plakur. Një gjë e tillë mund të ndodhë si pasojë e një çrregullimi të pigmentit të melaninës, ose tiroides. Por nuk përjashtohet fakti që ta keni trashëguar edhe nga prindërit. Nuk duhet të demoralizoheni. Një shampo kolor, ose një bojë flokësh mund ta ndryshojë tërësisht pamjen tuaj. Kështu ju do të shkëlqeni si më parë.

Lëkura ime është e mbushur me të çara

Shtatzënia, shtimi ose rënia nga pesha mund të krijojnë të çarat në lëkurë. Bëhet fjalë për disa shirita të hollë të shndritshëm që shfaqen si pasojë e humbjes së elasticitetit të lëkurës. Zakonisht krijohen në bark, gjoks, kofshë, të ndenjura dhe nuk zhduken më (nga të kuqe, marrin ngjyrën e lëkurës dhe bëhen të shndritshme).

Për t’i larguar nevojiten produkte kimike dhe kirurgjia me lazer. Një mënyrë parandaluese është ta hidratoni lëkurën, të ruani një peshë konstante, duke bërë shumë ushtrime fizike dhe të hani në mënyrë të shëndetshme.

Hap gojën dhe lulet vyshken menjëherë!

I lani rregullisht dhëmbët, por goja ju vjen sërish erë të keqe? Mos u shqetësoni, sepse mund të bëhet fjalë për një refluks acidi ose bajamet e sëmura, por nuk përjashtohet fakti që ky problem të shkaktohet edhe nga dieta që mbani.

Furça e dhëmbëve që përdorni nuk është më në gjendje të largojë nga goja aromën që lënë hudhrat dhe qepët. Përpiquni t’i eliminoni në maksimum këto ushqime. Nëse situata vazhdon të mbetet e njëjtë edhe pasi nuk i konsumoni më, atëherë bëni një vizitë te dentisti.

Sforcohem në maksimum për të mos qeshur

Dhëmbët tuaj janë të verdhë, ose më keq akoma gri? Ju kuptojmë, sepse është vërtet për t’u shqetësuar. Për t’ju ndihmuar mund t’u japim disa këshilla të vogla praktike: kafeja, çaji, vera janë pije që ndikojnë në ngjyrosjen e dhëmbëve. Po ashtu edhe duhani e disa barna.

Gjëja e parë që duhet të bëni është t’i lani mirë dhëmbët pasi të keni ngrënë, ndoshta duke përdorur një nga ato furçat që përveç fërkimit të mirë ndikojnë edhe në zbardhje. Një këshillë tjetër është të mos pini shumë duhan, ose t’i drejtoheni dentistit për një zbardhje më profesionale.

Si t’i shëroj thembrat e çara?

Zakonisht femrat i lënë pas dore thembrat e këmbëve gjatë gjithë dimrit dhe tani që vjen momenti për t’i zbuluar, vënë re se u janë mbushur me kallo dhe të çara, saqë në rast rreziku mund t’i përdorin edhe si armë mbrojtëse. Çarja e kallove shkaktohet nga çorapet e papërshtatshme për këmbët: mund të jenë tepër të ngushta, jo të rehatshme, ose të prodhuara me material të cilësisë së dobët.

Ilaçi më i mirë do të ishte t’i fusnit këmbët në ujë të vakët dhe pasi të jenë zbutur t’i fërkoni me gur për të larguar qelizat e vdekura. Nëse problemi nuk zgjidhet as në këtë mënyrë dhe ju krijon dhimbje, drejtojuni një estetisteje, ose mjekut përkatës.

Djersi si “ujëvarë”

Djersa të ndihmon të mbash nën kontroll temperaturën e trupit, në 37°. Nëse djersini edhe atëherë kur nuk duhet, pra kur jeni në qetësi, ose brenda një dhome të freskët, ndoshta e ka fajin hiperidrosi.

Hiperidrosi, ose djersitja e tepërt, shfaqet fillimisht te duart, por edhe te sqetullat dhe shputat e këmbëve. Sasia e saj është aq e madhe sa të krijon vërtet shqetësim. Në rastet më pak shqetësuese mund të përdoren injeksionet e “botulino”-s, që bllokojnë gjëndrat e djersës.

Aromë djathi

Edhe pse laheni rregullisht, këmbët tuaja vazhdojnë të lëshojnë aromë të keqe. Shollat e këpucëve janë një vend perfekt për grumbullimin e baktereve, që më pas shkaktojnë këtë aromë të keqe.

Kur aroma përzihet me bakteret, atëherë shpërthen ajo erë e padurueshme. Për të shmangur këtë gjë, mos vishni këpucë që ju djersijnë.

Mbajini këmbët të thata. Pasi t’i keni larë mirë e mirë, thajini me kujdes dhe lyejini me deodorant aromatizues. Çorapet duhet t’i ndërroni shumë herë në ditë dhe kujdesuni në veçanti për materialin.