Këshilla për mënyrën e të ushqyerit

Këshilla për mënyrën e të ushqyerit, nga prof.ass. dr. Llazi Birbo, specialist në fushën e ushqimit

Për t’u shëndoshur ose dobësuar një rol shumë të rëndësishëm luan dieta ushqimore shkencore. Rëndësi në këtë drejtim kanë edhe disa faktorë të tjerë, si trashëgimia, mosha, seksi, gjatësia trupore, masa muskulore dhe veprimtaria fizike.

Megjithatë, për të ruajtur peshën trupore në nivelin opti­mal duhet ditur gjithnjë e më shumë. Nuk duhet harruar për asnjë çast se organizmi ynë funksionon si një orë biologjike e brendshme me ritme të përcaktuara nga natyra.

Ja përse për t’u ushqyer në mënyrë korrekte është e rëndësishme jo vetëm që të hahet, por duhet të dish edhe kur dhe si të hash. Gjatë ditës veprimtaria e qelizave në të gjitha indet e orga­nizmit të njeriut ka një moment maksimal dhe një tjetër në qetësi të plotë. Duke u nisur nga ky bioritëm duhet të organizohet mirë edhe furnizimi me lëndë ushqyese ose kalori.

Mëngjesi
Të gjitha lëndët ushqyese energjike nëpërmjet sistemit të metabolizmit kthehen në glukozë, si karburanti bazë i jetës. Hormoni insulinë, i prodhuar nga pankreasi, bën të mundur zbërthimin e glukozës në energji dhe normalizon sasinë e saj në gjak. Është vërejtur se prodhimi maksimal i insulinës bëhet zakonisht rreth orës 14.00.

Është kjo arsyeja që në këtë kohë duhet të merren rreth 2/3 e kalorive të nevojshme ditore. Në mënyrë të barabartë ushqimi konsumohet nga organizmi si paradite, ashtu edhe pasdite. Prandaj mëngjesi, sipas orës biologjike, është një vakt i rëndësishëm. Pas tetë orëve pushim gjatë natës, organizmi i ka mbaruar rezervat normale të sheqerit, sidomos duke i depozituar ato në mëlçinë e zezë dhe në muskuj në trajtë glikogjeni për t’i’ përdorur në rast nevoje.

Për këtë arsye organizmi ka nevojë për lëndët ushqimore energjike (kalori) për të filluar aktivitetin e tij ditor. Është i gabuar dhe i dëmshëm zakoni i disave për të mbyllur mëngjesin vetëm me një kafe. Në fakt duhen ngrënë biskota me qumësht, reçel, marmelatë dhe një sasi e kufizuar buke. Sigurisht, në varësi të moshës dhe veprimtarisë fizike ose mendore, mund të përdorni edhe produkte të tjera ushqimore. Është plotësisht e sigurt se gjithçka që hahet në mëngjes konsumohet nga organizmi në orët e para të ditës dhe nuk tepron për t’u depozituar e për të rritur peshën trupore.

Ora biologjike
Rreth orës 11.00 dhe midis orëve 16.00-17.00 vihet re një ngacmim i lehtë urie, nga ulja e sheqerit në gjak. Për këtë arsye është e këshillueshme që të hahet diçka e lehtë, mundësisht fruta. Sheqeri i frutave (glukoza dhe fruktoza) asimilohet shpejt dhe futet në ciklin e orës biologjike të organizmit, duke thyer menjëherë ngacmimin e urisë. Në orët e vona të ditës vërehet një ulje e veprimtarisë së organizmit për tretjen e ushqimeve.

Si rrjedhim ulet edhe sekretimi i lëngjeve tretëse. Për këtë arsye ora biologjike këshillon që darka të jetë e lehtë, sepse në të kundërt, një pjesë e mirë e kalorive do të depozitohen në trajtën e dhjamit, duke rritur kështu në mënyrë të padëshirueshme dhe të dëmshme peshën trupore.

Larmi në ushqim
Natyra ka përfshirë në produktet e ndryshëm ushqimorë shumë më tepër substanca ushqyese sesa mund të diktojë dhe analiza më e perfeksionuar laboratorike. Prandaj çdo mbivlerësim i një produkti ushqimor, çdo ngritje e tij mbi të tjerët, sjell vetëm dëme. Në këtë drejtim të ushqyerit i ngjan një orkestre simfonike, ku të gjitha veglat dhe partiturat janë të domosdoshme për të krijuar harmoninë. Çdo mungesë do të jetë burim kakofonie. Për fat të keq, shpesh dëgjohet një farë fetishizmi i produkteve të veçanta si mishi apo qumështi, djathi apo mjalti, kosi apo veza, frutat apo perimet etj.

Harrohet se këta, të veçuar nga njëri-tjetri nuk mund të luajnë as rolin e vet si duhet dhe të ushqyerit do të çalojë dhe do të dëmtojë shëndetin dhe bukurinë trupore të njeriut. Kështu p.sh. të ushqyerit vetëm me qumësht i njeriut të rritur çon në anemi të rëndë. Sasitë e tepërta të vitaminave A dhe D, në këtë rast dëmtojnë jo vetëm te vegjlit, por edhe të rriturit.

Sheqeri, ky burim i lehtë energjie, kur hahet pa masë është i dëmshëm, sidomos për moshat e vjetra. E njëjta gjë vlen edhe për produktet e tjera ushqimore si djathi, mishi, gjalpi, kosi, perimet, etj. Njeriu nga natyra është një qenie gjithëçafrëgrënëse dhe duhet të hajë nga të gjitha produktet ushqimore. Duke vepruar kështu, vetvetiu do të hajë me masë secilin produkt ushqimor, duke filluar nga mishi e duke kaluar tek qumështi dhe derivatet e tij e deri tek frutat dhe perimet, pa harruar bukën, sidomos bukën e zezë.

Të mos hamë pa oreks
Nga tryeza e bukës nuk duhet të ngriheni të tejngopur, por me një rezervë të vogël oreksi, që tregon se aparati tretës nuk ka humbur aftësinë për të prodhuar lëngje tretëse, aq të domosdoshme pas ngrënies. Në përgjithësi koha e ngrënies të fillojë kur oreksi t’i bjerë “ziles” dhe ushqimet e shijshme të nxisin më tej oreksin fillestar.Të ushqyerit me zor shkakton frenimin e prodhimit të lëngjeve tretës dhe të enzimave përkatëse.

Në këtë mënyrë mund të shkaktohen shumë sëmundje të stomakut, si gastrit, ulcerë, deri edhe kancer. Për të ushqyerit normal duhet të njohim edhe disa kushte të tjera të nevojshme. Kështu p.sh. duhet të hamë pa nxitim, me qetësi, me ngadalë dhe duke e përtypur mirë ushqimin. Të ngrënët, në përgjithësi duhet të bëhet në një orar të caktuar dhe të përbëjë një fazë ceremonie dhe zakoni të respektueshëm. Kush ha shpejt, i nxituar dhe me shqetësim, si për të kaluar radhën, nuk përvetëson mirë ushqimin dhe dëmton aparatin tretës.

Ajri i pastër, me oksigjen të bollshëm, është një kusht i domosdoshëm për përvetësimin e ushqimit nga organizmi. Pa oksigjen organizmi i njeriut nuk mund të rrojë më shumë se pesë minuta. Këtu hyn edhe lëvizja, veprimtaria fizike, gjimnastika, shëtitjet, ekskursionet në ajër të pastër etj. Duhet të na mbushet mendja se edhe ushqimi i mirë, pa oksigjen dhe lëvizje të mjaftueshme, jo vetëm që nuk mund të përvetësohet, por bëhet edhe i dëmshëm, sepse lë mbetje të shumta në organizëm, duke e dëmtuar atë.

Dhjamosja
Duhet të dallojmë të ngjallurit ose të dhjamurit nga shëndoshja që shkaktohet sidomos nga shtimi i proteinave (tullat e jetës) dhe jo i yndyrave në organizëm. Pra, nga rritja dhe forcimi i indit muskulor organizmi ruan gjendjen shëndetësore dhe peshën e tij trupore normale.

Dëgjon disa herë që dikush të thotë: edhe ujë kur pi, më bëhet dhjamë. Duke kujtuar se edhe uji të shëndosh. Si qëndron puna në këtë rast? Janë disa hormone (sidomos të gjëndrave mbiveshkore), që kur prodhohen në sasi më të larta nga norma, kanë aftësi të mbajnë ujin në organizëm, duke rritur grumbullimin e tij (sidomos në lëkurë). Në këtë mënyrë rritet pasha trupore.

Në të vërtetë s’kemi as dhjamosje, as peshë trupore reale. Një lloj tjetër shëndoshjeje e rreme nga grumbullimi i ujit të tepërt në organizëm shkaktohet nga ulja nën normë e lëndëve proteinike të gjakut. Motoja e shëndetit të vërtetë me peshë trupore normale duhet të jetë: të shëndoshemi, por jo të dhjamosemi. Në përgjithësi dhjamosja e trupit e ka burimin tek. ushqimi i tepërt, shumë i pasur në kalori (me yndyra dhe sheqerna) dhe nga mungesa e aktivitetit fizik. Në të tilla raste dhjami preferon si vend pushimi dhe magazinimi pjesën e barkut.

Sot shkenca e të ushqyerit dhe ajo mjekësore e konsiderojnë dhjamosjen sëmundje që duhet mjekuar. Personat që kanë mbipeshë nga dhjamosja e tepërt vuajnë nga dhimbjet e kokës, u merret fryma, lodhen shpejt etj. Më vonë shfaqen sëmundjet e zemrës, të tensionit të gjakut, të diabetit, etj. Statistikat vërtetojnë se njerëzit që vuajnë nga majmëria rrezikojnë të vdesin nga zemra (gjatë moshës 40­,45 vjeçare) pothuajse dy herë më shumë sesa ata me peshë trupore normale.

Formula e peshës
Në mënyrë orientuese pesha normale trupore matet me kilogramë, të barabartë me numrin e centimetrave të gjatësisë së trupit, që shoqërojnë numrin 100. Kështu p.sh. një person me gjatësi 170 cm, ose 1.70 m, duhet të ketë një peshë trupore normale 70 kg. Për ata që janë të joshur nga saktësia shkencore po japim një formulë për peshën trupore ideale: lartësia në cm. x perimetrin e gjoksit në cm. pjesëtuar me 240.

Mjekësia dhe dietika dallojnë katër shkallë dhjamosjeje: shkalla e parë, kur teprica e peshës është 10-30% e peshës trupore normale të personit të dhënë; e dyta – kur nuk i kalon 50%; e treta – 100% dhe e katërta – kur pesha trupore bëhet dyfishi i asaj normale.

Në varësi të shkallës së dhjamosjes organizmi i njeriut vuan më shumë ose më pak, por gjithnjë vuan. Prandaj të ruajmë peshën trupore normale, për të gëzuar shëndet të plotë gjatë gjithë jetës.


Leave a Reply