Në modë palltot me ngjyra

Nëse keni vendosur të bëni tuajën një pallto por jeni mes dilemës nëse ajo duhet të jetë me ngjyrë të errët apo me ngjyra të ndezura, atëherë duhet të keni parasysh se stina e ftohtë e këtij viti vjen me ngjyra që bien në sy.

Padyshim me ngjyrë të ndezur, me prerje moderne dhe sa më origjinale duhet të jetë palltoja juaj, për t’u ndier rehat dhe seksi në të njëjtën kohë. Sfilatat më të fundit të modës përfshijnë modele për të gjitha shijet.

Tashmë vihet në dukje një femër e sigurt në vetvete dhe që arrin të joshë edhe e mbuluar. Për këtë nuk është e detyrueshme të shpenzosh pafund. Për një pallto megjithatë ia vlen të shpenzosh, pasi e përdorni pothuajse çdo ditë, që e hidhni krahëve çdo mëngjes kur niseni për në punë, që do të keni veshur mbrëmjeve të ftohta kur ktheheni për në shtëpi.

Hidheni tutje pallton tuaj të përhershme që peshon shumë, është e errët dhe nuk vë në pah format tuaja. Vëmendja duhet të përqendrohet te ngjyrat, materialet e buta dhe kënaqësinë e të veshurit. E nëse nuk guxoni të keni një pallto të tillë, mund të zgjidhni një pallto të zezë (kujdesuni që të vendosni shumë aksesorë) megjithatë vëmendje kushtojini prerjes dhe detajeve.


Prerja
Thuajuni lamtumirë palltove të gjera dhe pa një prerje uniforme. Tashmë duhet të dini se palltot për këtë vit duhet të plotësojnë kriterin që të jenë pas trupit dhe të përkëdhelin format tuaja. Një tjetër tendencë për sivjet, janë edhe palltot sportive, me ndërthurje materialesh të tjera, si lëkurë apo kamosh. Jepini vetes kënaqësinë të dukeni perfekte dhe e lumtur me një pallto të tillë. Përsa i përket gjatësisë, stilistët kanë preferuar që palltoja të jetë sipër gjurit, por nuk përjashtohen nga moda as palltot më të shkurta.

Leave a Reply