Ngjyrosja e flokëve

Me anë të ngjyrosjes së flokëve arrihet ndryshimi më i shpejtë i dukjes. Nganjëherë ndodh që, edhe pse ngjyra duket bukur në paketim, në flokët tuaj del ndryshe. Për këtë arsye duhet të keni kujdes në zgjedhjen e ngjyrës në bazë të prodhuesit dhe në raport me tenin e fytyrës suaj.

Ekzistojnë dy tipa kryesorë të ngjyrave për flokë: ngjyrat që qëndrojnë gjatë dhe ato që qëndrojnë një kohë më të shkurtë. Ngjyrat të cilat qëndrojnë gjatë, përzihen me hidrogjen, i cili çel ngjyrën e flokut dhe depërton në thellësi duke i dhënë ngjyrë.

Ngjyrat të cilat qëndrojnë më shkurtë, ose kolor-shamponët i ngjyrosin flokët vetëm sipërfaqësisht, dhe janë ngjyra të mira për ndryshimin drastik të ngjyrës së flokëve. Pas secilës larje, ngjyra dalëngadalë zbehet dhe pastrohet në tërësi pas larjes së njëzet.

Kur dëshironi të zgjidhni ngjyrën e flokëve, është shumë me rëndësi që ta përshtatni tenin e fytyrës suaj me ngjyrën e flokëve. P.sh. Femrat të cilët kanë një ten më të çelë të fytyrës nuk duken mirë me flokë shumë të errëta.

Nëse ngjyra natyrale e flokut tuaj është kafe, është shumë vështirë që të bëheni bionde. Këtë gjë mund ta arrini vetëm pas një kohe të gjatë të ngjyrosjes, duke përdorur të njëjtën ngjyrë për flokë dhe të njëjtën nuancë.

Këshillë: Herën e parë shkoni te stilisti që t’ua ngjyrosë flokët në bionde.

Nëse dëshironi ngjyrë të kuqe, është mirë ta dini se floku i pranon mirë pigmentet e kuqe, mirëpo nëse jeni bionde, atëherë duhet të gjeni ngjyrë të tillë, e cila është dy-tri tonë më e errët sesa ngjyra të cilën dëshironi ta keni në flokët tuaj.

Ngjyra kafe është gjithmonë zgjedhje e sigurt dhe e shkëlqyer për këdo. Nuancat e ngjyrës kafe mund të varirojnë nga të shndritshmet deri te ato më të errëtat.

Ngjyrën e zezë të flokut është lehtë ta fitoni, sepse molekulat e pigmentit të zi janë më të mëdha, dhe më lehtë e mbulojnë të gjithë gjatësinë e flokut. Në rastet e zgjedhjes së nuancave, duhet të keni kujdes: vajzat të cilat kanë ten të errët apo të zbehtë nuk do t’u qëndrojë mirë nuanca e zezë.

Nëse ndodh që ngjyra me të cilën i keni lyer flokët nuk është ajo për të cilën keni ëndërruar, sepse është shumë e çelë ose shumë e errët, ose thjeshtë nuk është ngjyra të cilën e keni dashur- në vend se të nevrikoseni, mundohuni ta zbutni gabimin.

Këshillohuni me stilistin e flokëve, sepse mund t’u japë flokëve tuaj një nuancë tjetër, ndërsa nëse provoni vetë t’i përzieni ngjyrat, atëherë mund të shkaktoni një ‘katastrofë’. Sa për njohuri, nuk ekziston ndonjë pastrues ose substancë kimike, e cila e largon menjëherë të gjithë ngjyrën e vendosur në flokë.

A i dëmton hidrogjeni flokët?
Nëse përdoret përqindje e lartë e hidrogjenit (p.sh. 12%) dhe nëse e ndryshoni shpesh ngjyrën e flokëve, p.sh. nga bionde në ngjyrë gështenje, pastaj sërish bëheni bionde- është i nevojshëm trajtimi i plotë për kujdesin ndaj flokëve me kusht që ato të mos dëmtohen. /Telegrafi/

Leave a Reply