Operacioni i deformimeve të hundës

Deformimet hundës më së shpeshti ndodhin si pasojë e lëndimeve, por mund të jenë edhe kongjenitale (të lindura).

Operacioni i deformimeve të hundës mund të ketë për qëllim: korrektimin e pamjes së jashtme të hundës dhe korrektimin e mureve të brendshme të hundës.

Të gjitha deformimet e lindura të hundës mund të ndahen në:

– Çrregullimet në madhësinë e piramidës së hundës (hundë shumë e madhe ose hundë e vogël)
– Çrregullimet e boshtit të hundës (septumi i cili anon nga njëra anë)
– Çrregullimet e eshtrave dhe kërceve të hundës (ekzistimi i cisteve eshtërore të lindura)

Deformimet e krijuara të hundës vijnë si pasojë e lëndimeve, dhe më së shpeshti ndodhin thyerje të kockave të hundës ose thyerje të kërcit. Hunda e thyer duhet të trajtohet nga specialistët e ORL-së, me qëllim që të shmanget paraqitja e deformimeve postraumatike.

Kur bëhet intervenimi kirurgjik

Operimi i hundës bëhet vetëm pasi të ketë përfunduar rritja e skeletit të hundës, dhe kjo do të thotë se, ndërhyrja kirurgjike mund të realizohet vetëm pas moshë 18-vjeçare.
Përgatitja para-operuese përfshin fotografimin e eshtrave të hundës dhe murit ndarës, si edhe analizohet sekreti i hundës dhe i fytit. Kuptohet, duhen bërë edhe analiza për kontrollimin gjendjes së përgjithshme, si dhe përgatitja rutine anesteziologjike.

Operacioni i hundës më së shpeshti bëhet në anestezion të përgjithshëm. Operacioni me anestezion lokal është i mundur vetëm kur intervenohet në kërcet e hundës.

Pas operacionit shfrytëzohet tamponada për një periudhë 5-7 ditëshe, ndërsa nëse intervenimi është bërë në eshtrat e hundës, atëherë mbahet edhe imobilizim i jashtëm (gips ose pllakë metalike) për dhjetë ditë.
Kur ndërhyrja kirurgjike bëhet në septumin (murin ndarës) të hundës, ndonjëherë është e nevojshme që imobilizimi i septumit të hundës të bëhet me pllaka plastike të cilët mbahen po ashtu dhjetë ditë. Largimi i mjeteve imobilizuese nuk është i dhimbshëm.

Prej komplikimeve post-operative përmenden gjakderdhjet, gjakderdhjet e dobëta rreth syve, ënjtja e fytyrës, paraqitja e pikave të gjakut në septumin e hundës dhe paraqitja e inflamacionit të sinuseve maksillarë. Për trajtimin e shumicës së këtyre komplikimeve, duhet që më vonë, të bëhet edhe një ndërhyrje kirurgjike. /Telegrafi/

Leave a Reply