Si ti ulim yndyrnat në gjak

Ndër shkaktarët kryesorë të rritjes së nivelit të yndyrave në gjak është mënyra e ushqyerjes, një dietë e pasur kryesisht me yndyrna shtazore, sidomos me mishin e bagëtive të imëta.

Por, edhe mbipesha, sëmundja e diabetit, trashëgimia dhe sidomos abuzimi me alkoolin ndikojnë mjaft në shfaqjen e këtij problemi.

Kjo është një sëmundje që zakonisht ndeshet në moshat madhore,
sidomos pas të 30-ave kur nis dhe abuzimi me alkoolin apo nisin të shfaqen simptomat e para të diabetit. Nëse ky problem është i trashëgueshëm, atëherë shenjat shfaqen dhe në moshë më të re.

Studime e kohëve të fundit kanë treguar se, dieta mesdhetare që bazohet në zarzavatet, frutat, peshkun, mishin e pulës kryesisht atë të bardhë, ndikon në uljen e nivelit të yndyrnave në gjak, dhe sigurisht dhe të triglicerideve si pjesë përbërëse e tyre.

Rekomandohet të përdoren sa më shumë ushqimet e freskëta, të papërpunuara dhe të ziera. Ndërsa për gatim këshillohet të përdoret vaji i ullirit dhe ai i misrit. Natyrisht me mjaft rëndësi janë dhe medikamentet, statinat dhe fibrinat, të cilat duhet të përdoren vetëm nën mbikëqyrjen e mjekut specialist.