Trajtimi i hipertensionit dhe i infarktit

Sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut, sipas statistikave, janë shkaku i një të tretës të vdekjeve në të moshuarit.

Sëmundje e shpeshtë në të moshuarit është arterioskleroza, e cila mund të jetë e gjeneralizuar, por që, klinikisht, në shumicën e rasteve, shfaqet me shenja apo çrregullime kardiake dhe cerebrale. Faktor kryesor i shfaqjes së arteriosklerozës është hiperkolesterolemia (rritje e kolesterolit në gjak).

Kur këtij çrregullimi i shtohen edhe faktorë të tjerë të rrezikut si duhani, alkooli etj., bëhet shkak për sëmundje të zemrës dhe aparatit kardiovaskular në përgjithësi.

Arterioskleroza, sidomos kur është e avancuar, shkakton ndryshime në endotelin e arterieve të mëdha e të vogla, dhe si pasojë, ato bëhen më të ngurta, humbasin elasticitetin dhe ngushtohet lumeni i tyre. Kjo bën që të vështirësohet qarkullimi i gjakut në gjithë organizmin, por kuptohet që, fillimisht, kjo ndihet më tepër në organet jetësore, si: zemra, truri, veshkat etj.

Si pasojë, aorta humbet elasticitetin dhe kështu shtohet presioni që shfaqet me shtimin e presionit arterial sistolik (PAS), pa bërë ndryshim në presionin arterial sistolik (PAD). Ngushtimi i enëve të gjakut që ushqejnë muskulin e zemrës (arteriet koronare) pakëson qarkullimin e gjakut, dhe si pasojë, muskuli i zemrës atrofizohet.

Më vonë fillojnë ndryshime degjenerative që mund të çojnë në pamjaftueshmëri të punës së zemrës apo insuficiencë kardiake. Vendosja në muret e arterieve koronare e pllakave ateromatoze mund ta çojë të sëmurin në stenokardi ose infarkte të miokardit etj.

Infarkti akut i miokardit (IAM)

Infarkti i miokardit (IM) përbën një nga sëmundjet më të rënda dhe më aktuale për të gjitha moshat, veçanërisht në të moshuarit.

Në moshën geriatrike, rreth 80 për qind e vdekjeve nga kardiopatitë koronarike (ishemike) ndodhin në këtë moshë. Ndryshimet arteriosklerotike që ndodhin në arteriet koronare bëjnë që pllakat aterometoze t’i mbyllin ato. Si pasojë, muskuli i zemrës vuan nga mos-ushqyerja, dhe në rast se kjo nuk mjekohet, muskuli fillon e nekrotizohet dhe shfaqet infarkti i miokardit. Vuajtja e indeve të muskulit të zemrës nga mosushqyerja me gjak si pasojë e mbylljes se arteries koronare shprehet klinikisht me dhembje gjoksi, karakteristike për sëmundjet e koronareve dhe infarktin e miokardit. Ndonëse mungesa e dhembjeve të gjoksit është shumë e rrallë në rastin e infarktit të miokardit në të rinjtë e të rriturit, kjo ndodh shpesh në të moshuarit.

Ndryshe nga moshat e reja dhe të rriturit, në të moshuarit, 50-60 për qind e tyre paraqesin shenja të lehta dhembjeje dhe këto jokarakteristike ose dhembjet maskohen apo mbizotërohen nga dispnea e, në raste të veçanta, edhe me gjendje sinkopale apo insuficience akute të zemrës.

Në raste të tjera mund te shfaqen shenja atipike, si gjendje konfuzionale nga anoksia cerebrale, një hipertension i shprehur i zgjatur dhe dobësi e shprehur, e shoqëruar me të vjella etj. Infarkti i miokardit tek të moshuarit mund të shfaqet fare i fshehtë, dhe të zbulohet vetëm nëpërmjet ekzaminimit elektrokardiografik (EKG). Kjo mund të ndodhë zakonisht në të moshuarit e vjetër (mbi 75 vjeç), kur i moshuari i sëmurë nuk është në gjendje të identifikoje dhembjet ose t’i tregoje ato qartë, ose në të sëmurët diabetikë në stade të avancuara.

Si pasojë e rënies se forcave imune, edhe ekzaminimet laboratorike, si leukocidet – transaminazat etj., mund të mos ndryshojnë. I vetmi ekzaminim që ka vlera dhe nuk ndryshon me moshën është ekzaminimi elektrokardiografik (EKG). Çdo devijim nga norma, i këtij ekzaminimi ka vlera të njëjta si në individët e rinj.

Sëmundshmëria dhe vdekshmëria nga infarkti i miokardit rriten në varësi të moshës. Në të ndikon zbulimi me vështirësi i sëmundjes dhe fillimi me vonesë i mjekimit, krahas faktorëve të tjerë që lidhen me moshën.

Mjekimi

Ashtu si për të rriturit apo të rinjtë, mjekimi i të moshuarve me infarkt miokardi behet në qendra kardiologjike të terapisë intensive. Përdoren preparate qetësuese të dhembjeve në varësi të gjendjes, antikoaguluese rregulluese të presionit arterial, oksigjenoterapi etj.

Kujdesi për këta të sëmurë duhet përqendruar në ndjekjen e rregullt të treguesve kryesore, si: PA, pulsi, frymëmarrja etj.

Duhet bërë kujdes, gjithashtu për higjienën në përgjithësi, mbrojtjen nga infeksionet etj.

Në mjekimin dhe parandalimin e arteriosklerozës, përveç barnave antisklerotike, rol të madh ka edhe dieta. Mjekimi i rregullt i hipertensionit arterial, ndalimi i duhanit, i alkoolit, aktiviteti fizik, shmangia e streseve etj., bëjnë të pakësohet ky ndërlikim i rëndë, shpesh i rrezikshëm për jetën.

Përdorimi në doza të vogla i aspirinës ndihmon shumë në parandalimin e trombozave, të cilat përveç të tjerave favorizohen dhe nga arterioskleroza.

Hipertensioni

Hipertensioni arterial është një sëmundje që rritet në raport me moshën dhe studimet tregojnë që mbi 50 për qind e njerëzve mbi 65 vjeç mund të paraqesin hipertension arterial kronik.

Rritja e presionit arterial në moshat e avancuara nuk është i pashmangshëm. Në shumë vende të pazhvilluara ku mënyra e jetesës, e ushqyerjes ndryshon nga ato të vendeve të zhvilluara, sëmundja hipertonike është e rrallë.

Kjo tregon lidhjen e shfaqjes së sëmundjes me disa faktorë që ndeshen në shoqëritë e industrializuara, si aktiviteti fizik i kufizuar, dieta, ushqyerja me produkte shtazore dhe duhani, streset etj. Edhe në vendin tonë ndryshon raporti i të sëmurëve me HTA në qytet dhe fshat, tek ata që merren me punë fizike, ata që bëjnë jetë sedentare etj.

Në përkufizimin apo përcaktimin e HTA nga studimet epidemiologjike ka mendime të përafërta.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), p.sh., përcakton “hipertension”, kur presioni arterial sistolik kalon shifrën 160 mmHg, dhe ai diastolik 90 mmHg, i matur dhe i gjetur mbi këto shifra 3-4 herë gjatë një periudhe 1-2 javore.

Gjatë një procesi normal të plakjes, presioni arterial sistolik rritet. Ky hipertension është konsideruar si mekanizëm kompensues për të mbajtur fluksin e nevojshëm të gjakut në tru, në koronare, veshka etj., ndonëse zhvillohet një arterosklerozë.

Ndërlikimet e hipertensionit

Hipertensioni arterial është shkaku më i shpeshtë i sëmundjeve të zemrës dhe aksidenteve cerebrale (insultet cerebrale). Tek të moshuarit mund të shfaqet edhe demenca multiinfarktuale apo demencat vaskulare në përgjithësi. Shpeshtësia (incidenca) e infarktit të miokardit rritet me rritjen e presionit arterial.

Është provuar veçanërisht se, në rastet kur koronaret janë stenoze nga pllakat arterosklerotike, ulja e presionit diastolik nën 80 mmHg mund të shkaktojë episode ishemike, madje në ndonjë rast infarkt miokardi. Kjo ndodh për arsye se arteriet koronare mbushen me gjak gjatë diastolës.

Prandaj në të moshuarit përdorimi i antihipertensivëve duhet bërë me kujdes, pasi ata mund të ndikojnë jo vetëm në uljen e presionit arterial sistolik, por edhe atij diastolik që krijon rrezik për infarkt të miokardit. 3-4 herë rresht gjatë disa ditëve, në kushte sa më të mira (në mjedise të qeta, të ngrohta, pasi i sëmuri të ketë pushuar disa minuta etj.)

Vlerësimi i një subjekti të moshuar me hipertension duhet bërë i njëjtë me atë të një individi të ri ku përfshihet: anamneza, ekzaminimi fizik, kuadri hematologjik, EKG-ja, Fundus okuli, Eko-ja e zemrës erj. Hipertensioni dytësor është i rrallë në të moshuarit. Por, sidoqoftë, duhen përjashtuar edhe shkaqe të tjera, si hipertireoza, pielonefrit etj.

Mjekimi

Për mjekimin e hipertensionit përdoren barna të ndryshme. Si rregull fillohet me diuretikë, betabllokues (atenolol) në doza të vogla dhe regjim dietetik. Kjo varet nga stadi i sëmundjes. Në rast se nuk normalizohet PA, shtohen kalcibllokuesit (adalat 10 mg 3 herë në ditë), izoptin etj.

Vitet e fundit përdoren me sukses aceinhibitorët, si enalapril etj., gjithmonë duke kontrolluar rregullisht shifrat e presionit arterial.

Me shumë rëndësi, si në mjekimin dhe në parandalimin e sëmundjes, është regjimi dietetik duke kufizuar kripën në ushqime, duke përdorur sa më shumë një dietë me sa më pak yndyrna, sidomos shtazore, dhe sa më shumë fruta dhe perime.

Zhvillimi i një aktiviteti fizik në përputhje me moshën dhe gjendjen, shëtitjet në mjedise të qeta dhe të pastra, shmangia e streseve etj., ndikojnë pozitivisht në mjekimin dhe parandalimin e ndërlikimeve, që shpesh bëhen shkak për humbjen e autosuficiencës në të moshuarit. Gjithashtu, mjekimi i rregullt i sëmundjeve kronike, si p.sh. i diabetit, ndalimi i duhanit, i alkoolit etj., ndikojnë shumë në parandalimin dhe mjekimin e të sëmurëve. Sipas të dhënave të fundit të (Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë) ESC-së dhe ESH (Shoqatës Evropiane të Hipertensionit) objektivi kryesor parandalues në të sëmurët me shenja të kardiopatisë koronare është ai i ngadalësimit të arteriosklerozës koronarike dhe pakësimit të rrezikut të dukurive trombatike dytësore.

Kjo mund të realizohet nëpërmjet modifikimit të stilit të jetës, si ndalimi i duhanit, regjimi dietetik. Pavarësisht nga mosha, dieta ka një rol të madh në parandalimin e kardiopative koronarike, mbasi ndikon shumë në arteriosklerozën. Pakësimi i yndyrnave, sidomos të saturuara, dhe i kripës ndikon shumë në parandalimin e sëmundjeve të enëve të gjakut.

Ndër faktorët e rrezikut:

•           reduktimi i peshës trupore

•           mjekimi i rregullt i HTA-së

•           mjekimi i hiperkolesterolemisë

•           mjekimi i diabetit melitus

Ndërmjet barnave më kryesore janë:

•           betabllokuesit

•           aceinhibitorët

•           antikoaguloantët

•           estrogjenet etj.